Dita e Tokës dhe Marrëveshja e Parisit [fr]
Shqipëria i bashkohet fushatës globale: "Mbill një pemë" për të shënuar Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike
Për të shënuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimet Klimatike, sot, në Ditën e Tokës, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe ambasada franceze iu bashkuan fushatës globale: "Mbill një pemë".
Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri z. Brian Williams dhe ambasadori i Francës në Shqipëri z. Bernard Fitoussi, në prani të përfaqësuesve nga qeveria dhe shoqëria civile, mbollën një pemë ulliri në territorin e ambasadës franceze për të shënuar këtë moment historik.
Një ceremoni e nivelit të lartë e mbajtur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara z. Ban Ki-moon në Nju-Jork, do të mbledhë së bashku krerët e shteteve dhe përfaqësuesit më të lartë të 155 qeverive në mbarë botën. Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë do të nënshkruajë marrëveshjen në emër të qeverisë shqiptare.
Ftesa për nënshkrimin e marrëveshjes u është drejtuar të gjitha shteteve palë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Me nënshkrimin nga shteti palë nis procesi jetik i ratifikimit në nivel kombëtar, nga i cili varet edhe hyrja finale në fuqi e marrëveshjes.
Marrëveshja e Parisit do të hyjë në fuqi 30 ditë pas datës në të cilën të paktën 55 Shtete Palë të Konventës, të cilët në total llogariten minimalisht në 55% të shkarkimeve të përgjithshme të gazeve me efekt serrë, të kenë depozituar pranë Depozituesit instrumentet e tyre të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit.
Marrëveshja u miratua në Paris më 12 dhjetor 2015, nga 196 Shtete Palë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK) në COP21. Në marrëveshje, të gjitha vendet u zotuan të punojnë për ta kufizuar rritjen e përgjithshme të temperaturës nën 2 gradë Celsius, dhe po punojnë për të arritur një rritje të temperaturës nën 1,5 gradë Celsius.
Ndonëse shkarkimet e gazeve me efekt serrë nga Shqipëria janë relativisht të ulëta, ndikimi i ndryshimeve klimatike është i dukshëm. Qeveria shqiptare është angazhuar që të reduktojë shkarkimet e CO2 me 11,5% brenda vitit 2030.