Franca është aktive në mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri [fr]

Franca është aktive në mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri

Zonja Ceccaldi-Guebel, gjykatëse franceze, inspektore e shërbimeve ligjore, do të jetë e pranishme për herë të dytë në Tiranë për të mbështetur reformat që synojnë zbatimin e procedurave të inspektimit për gjyqtarët, në mënyrë që ato të jenë në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

Zonja Ceccaldi-Guebel do të vërë ekspertizën e saj në shërbim të inspektorateve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në kuadrin e hartimit të manualit të parë të inspektorateve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të përbashkët me inspektoratet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Hartimi i këtij manuali inspektimi është parashikuar në Protokollin e Mirëkuptimit të nënshkruar në dhjetor 2011 midis inspektorateve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky Protokoll, i përshëndetur në raportin e progresit të Komisionit Evropian në tetor 2011, synon të sigurojë një bashkëpunim më të mirë dhe komplementar midis dy institucioneve në fushën e inspektimit të gjykatësve. Ky manual, që duhet të botohet në shtator, do të shënojë zbatimin e Protokollit të Mirëkuptimit.

Më 25 qershor, zonja Ceccaldi-Guebel do të drejtojë një grup pune në lidhje me manualin e inspektimeve, ku do të trajtohen çështjet e mbetura lidhur me procedurat për verifikimin e ankesave dhe të inspektimit. Me kërkesë të institucioneve shqiptare, grupi i punës u organizua nga Ambasada e Francës në bashkëpunim me EURALIUS, projekt ky i financuar nga Komisioni Evropian për forcimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ky grup pune do të përfshijë përfaqësuesit e dy inspektorateve dhe ekspertë nga EURALIUS.

Më 26 qershor, Znj Ceccaldi-Guebel do të marrë pjesë në Seminarin e dytë ndërkombëtar mbi praktikat më të mira evropiane në fushën e inspektimit të gjyqtarëve që do të mbahet në Ministrinë e Drejtësisë.
Ky seminar ndërkombëtar, që u drejtohet inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shënon finalizimin e manualit të inspektimeve. Ai organizohet me iniciativën e EURALIUS-it, në bashkëpunim me ambasadat e Spanjës, Italisë dhe Francës, sipas modelit të Seminarit Ndërkombëtar që u mbajt në fillim të dhjetorit, me rastin e nënshkrimit të Protokollit të Mirëkuptimit ndërmjet dy inspektorateve, organizuar po nga EURALIUS-i në bashkëpunim me ambasadat e Spanjës, Italisë dhe Francës.
Ky seminar i dytë ndërkombëtar do të trajtojë detyrimet deontologjike të gjyqtarëve dhe të inspektorëve si dhe pasojat e shkeljes së tyre. Zonja Ceccaldi-Guebel do të paraqesë anët e veçanta të sistemit francez në këtë fushë.

Ndryshimi i fundit: 19/12/2013

Në krye të faqes