Kek në Tiranë [fr]

Artikull i Mylène Mordin

Kur pyetëm nxënësit shqiptarë "çfarë tregimesh të vizatuara njihni ju?", ata nuk u përgjigjën. Përpara habisë së tyre u shpjeguam termin duke bërë krahasimin me comics në SHBA, mangas në Japoni, tregimet të vizatuara të Belgjikës, Asteriksin dhe Obeliksin, Supermanin. Këtu ata e kuptuan. Sigurisht që ata i njohin, por nuk kanë pasur asnjëherë rastin të kenë të bëjnë me ta. Frankofonia 2012 do t’ua japë këtë mundësi.

Ditën e shtunë 17 mars, ora 11:00 në Qendrën TEN u hap një ekspozitë me tregime të vizatuara. Bëhej fjalë për vizatime të autorit Kek, i cili erdhi nga Paris enkas për këtë rast. Vizatimet e tij flasin për dashuritë e fëmijërisë, kujtimet e shkollës, macen e tij Tao: ato janë të këndshme, të lehta dhe kryesisht të kuptueshme për nxënësit që mësojnë frëngjisht. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Zonja Ambasadore dhe bashkëshorti i saj, Drejtoresha e veprimtarive kulturore në Bashkinë e Tiranës, mësues të frëngjishtes dhe nxënës të shkollave, të cilët prisnin të takonin autorin. Keku prezantoi ilustrimet e tij me humor duke treguar anekdotat e tij për "vitet e shkollës", titulli i albumit të tij të fundit.

Nxënësit e shkollave "Sabaudin Gabrani", "Dora d’Istria", "Edith Durham" dhe Emin "Duraku" ishin të ftuar gjithashtu të shprehnin kujtimet e tyre shkollore në konkursin e tregimeve të vizatuara të organizuar nga Mylène Mordin. Me këtë rast, Reida, nxënëse në klasën e VII-të në shkollën "Edith Durham", mori çmimin e parë, Fatjona nga e njëjta klasë mori çmimin e dytë dhe Iliana, nxënëse në klasën e VI-të në shkollën "Emin Duraku" mori çmimin e tretë. Përveç dhuratave, secila prej tyre mori një kopje të albumit "Vitet e shkollës" me autograf nga Keku.

Zbulimi i tregimeve të vizatuara nuk u ndal në këtë ekspozitë; në shkolla dhe në Aleancën Franceze u organizuan atelje, për t’u treguar nxënësve disa teknika vizatimi.

Tregimet e vizatuara janë një gjuhë. Gjuha është tërësia e kodeve që çdo folës pranon t’i ndjekë në mënyrë që të kuptohet. Në të njëjtën mënyrë, të krijosh një tregim të vizatuar do të thotë të ndjekësh një numër të caktuar kodesh: një flluskë në formë reje do të thotë se personazhi është duke menduar, thonjëzat për sytë tregojnë se ai është i kënaqur, vetullat e rënda i japin karakter... Kjo ishte ajo çka Keku u shpegoi nxënësve, duke ndarë këshillat e tij me fëmijët, të cilët ishin të lumtur të mësonin se si të krijonin personazhe të ndryshëm nga njëri-tjetri me disa lëvizje të lapsit.

Përveç vizitave në gjimnaze, Keku takoi disa studentë të Universitetit të Arteve, të cilët erdhën të shikonin ekspozitën me profesorin e tyre Ardian Isufi.

Tani ekspozita ndodhet në Berat dhe puna e Ambasadës për prezantimin dhe njohjen e tregimeve të vizatuara franceze sapo ka filluar...

Présentation de Mlle Mylène Mordin.
Mme l'Ambassadeur avec les élèves.
Kek remercie l'Ambassade.
Les années collège.

Ndryshimi i fundit: 07/03/2014

Në krye të faqes