Konferencë rajonale mbi drejtësinë [fr]

Ambasada e Francës organizon në datat 13 dhe 14 nëntor, në Hotel Tirana International, një Konferencë rajonale mbi drejtësinë. Kjo konferencë mbahet në kuadrin e ciklit të konferencave mbi Drejtësinë dhe të Drejtat e Njeriut në vendet e Evropës jug-lindore, të organizuara në vende të ndryshme nga Ministria franceze e Punëve të Jashtme.

Profesionistë dhe ekspertë të nivelit të lartë të sektorit të drejtësisë nga Shqipëria dhe nga Franca, por dhe nga dhjetë vende të Evropës lindore dhe juglindore, do të mblidhen së bashku dhe një vend të rëndësishëm do të zënë debatet dhe shkëmbimi i eksperiencave.

Shqipëria është zgjedhur këtë vit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë si dhe të 15-vjetorit të Shkollës së Magjistaturës. Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani, ka pranuar t’i japë mbështetjen e tij kësaj Konference.

Konferenca do të trajtojë çështjet e përzgjedhjes, trajnimit dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendet e Evropës jug-lindore. Këto tema janë shtyllat e transparencës, efikasitetit dhe pavarësisë së drejtësisë, objektiva thelbësore për të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Në vazhdim të kësaj Konference rajonale, Ambasada e Francës, në bashkëpunim me ERALIUS - projekti evropian për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, do të organizojnë në datat 15 dhe 16 nëntor 2012 workshope mbi cilësinë e vendimeve të drejtësisë për studentët e Shkollës së Magjistraturës.

Ndryshimi i fundit: 12/11/2012

Në krye të faqes