Ndërhyrja e Francës në Mali [fr]

Deklarata të autoriteteve franceze në lidhje me ndërhyrjet në Mali dhe Somali 12 janar 2013

Deklaratë e Présidentit të Republikës, Z. François Hollande,
12 janar 2013

« Me kërkesë të Presidentit të Malit dhe në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Franca është angazhuar për të mbështetur ushtrinë maliane përballë agresionit terrorist që kërcënon të gjithë Afrikën Perëndimore.

Në sajë të trimërisë së ushtarëve tanë, ne kemi arritur tashmë ta ndalojmë atë dhe t’u shkaktojmë kundërshtarëve tanë humbje të rënda.

Por misioni ynë nuk ka përfunduar.
Ju kujtoj se ky mision konsiston në përgatitjen e zbarkimit të një force ndërhyrjeje afrikane, e cila do t’i mundësojë Malit të sigurojë integritetin e të gjithë territorit në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurisë.

Edhe sot kam dhënë të gjithë udhëzimet që mjetet e përdorura nga Franca të përdoren në mënyrë strikte për arritjen e këtij pikësynimi.

Nga ana tjetër, kam kërkuar përforcimin e dispozitivit ushtarak francez në Bamako për të mbrojtur bashkëkombasit tanë.
Dëshiroj t’u bëj një homazh forcave tona të armatosura. Një nga pilotët tanë ka vrekur që në orët e para të luftimeve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Dua të kujtoj se në këtë operacion Franca nuk ka asnjë interes tjetër përveç mbrojtjes së një vendi mik dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç luftës kundër terrorizmit. Kjo është arsyeja e mbështetjes së shprehur nga i gjithë Komuniteti ndërkombëtar dhe i përshëndetjes nga të gjitha vendet afrikane.

Për një front tjetër, Somalinë, që prej disa ditësh unë kam marrë vendimin për të ndërhyrë me qëllim lirimin e një agjenti francez të mbajtur rob prej më shumë se tre vitesh e gjysëm në kushte të tmerrshme.

Ky operacion nuk ia arriti qëllimit megjithë sakrificën e dy prej ushtarëve tanë dhe vrasjen e pengut.
Bashkohem me dhimbjen e familjeve dhe u paraqet ngushëllimet e të gjithë Kombit.
Por ky operacion konfirmon vendosmërinë e Francës për të mos rënë pre e shantazheve të terroristëve.

Në ditët e ardhshme, vendi ynë do të vazhdojë ndërhyrjen në Mali. Unë kam thënë se ai do të vazhdojë të gjithë kohën e nevojshme, por kam shumë besim në efikasitetin e forcave tona dhe në suksesin e misionit që ne po përmbushim në emër të Komunitetit ndërkombëtar.

***

Pjesë nga konferenca e shtypit e Ministrit të Punëve të Jashtme Z. Laurent Fabius (12 janar)

« Pak më parë Presidenti i Republikës më ka kërkuar, së bashku me Kryeministrin, t’ju përcjell informacione në lidhje me kontekstin në të cilin është marrë vendimi. Ka disa muaj që ne përpiqemi të tërheqim vëmendjen e të gjithë botës në lidhje me situatën e rëndë në Mali. Siç e dini, në veri të Malit janë vendosur grupe terririste dhe kriminale, të cilat jo vetëm cënojnë integritetin territorial të Malit, por duke pasur parasysh armatimet e fuqishme që kanë, burimet financiare, idéoligjinë dhe veprimet e tyre të tmerrshme, ato kërcënojnë Malin, vendin fqinj, të gjithë Afrikën dhe Evropën. Janë grupe terroriste dhe kriminale.

Kjo është arsyeja për të cilën Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara ka marrë një seri vendimesh, i fundit është marrë në muajin dhjetor. Kjo rezolutë parashikoi me të drejtë vendosjen e një force, të quajtur MISMA, Misioni Ndërkombëtar në Mbështetje të Malit. Disa nga vendimet bëjnë të mundur luftën kundër terroristëve dhe i japin Malit mundësinë të kontrollojë të gjithë territorin e tij dhe të rifillojë zhvillimin. Paralelisht, Evropa ka marrë vendime për të ndimuar në formimin, reformimin e ushtrisë maliane. Vendet fqinjë të Malit, anëtarë të CEDEAO-së, janë angazhuar të ofrojnë kontingjentet e nevojshme. Kjo ishte situata deri para disa javësh.

Por prej disa ditësh situata fatkeqësisht është përkeqësuar shumë rëndë. Grupet terroriste dhe kriminale në veri të Malit, duke përfituar nga hapësira kohore mes vendimeve ndërkombëtare të marra dhe momentit të zbatimit të tyre, kanë vendosur të zbresin në jug. Sipas të gjitha gjasave, pikësynimi i tyre është të kontrollojnë të gjithë vendin për të vendosur një regjim terrorist.

Kjo është arsyeja për të cilën autoritetet e Malit i janë drejtuar si Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara ashtu dhe Francës për të kërkuar të ndërhyjnë në mënyrë urgjente. Këshilli i Sigurisë është mbledhur dje dhe në deklaratën e miratuar me unanimitet ka vlerësuar se kërcënimi është jashtëzakonisht i rëndë dhe se duhet reaguar. Atij i janë drejtuar autoritetet maliane. Edhe Franca ka marrë një kërkesë për mbështetje nga ajri dhe mbështetje ushtarake.

Duke pasur parasysh këtë situatë urgjente dhe duke u bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare, Presidenti i Republikës, Kryetar i Shtetit dhe Komandnat i Forcave të Armatosura, mori vendimit t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Malit dhe kërkesës së Komunitetit Ndërkombëtar. Ky është shpjegimi i vendimit që ka lajmëruar sot dhe që ka filluar të zbatohet në terren sot pasdite me mbështetjen e trupave maliane.

Kjo është situata aktuale në momentin që po ju flas. Do të doja të shtoja dhe dy komente : ky vendim respekton të drejtën ndërkombëtare dhe është diktuar nga ndryshimi i situatës dhe urgjenca që u paraqit. Vendimi ka qenë objekt i një konsultimi ndërkombëtar. Dje dhe sot janë konsultuar një seri personalitetesh, nga të cilat do të doja të përmendja kontaktin e vazhdueshëm me Malin, autor i kërkesës, me drejtuesit e CEDEAO-së, me komunitetin e Afrikës Perëndimore dhe Presidentin e saj OUATTARA, me Unionin Afrikan me President Boni YAYI, si dhe me Presidenten e Komissionit, Znj. ZUMA. Kam biseduar gjithashtu dje me miqtë tanë algjerianë, me miqtë tanë nigerianë, me shumicën e vendeve të Evropës dhe përfaqësuesit e tyre, pikërisht me Zonjën ASHTON, si dhe me kolegët e mi të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Gjermanisë, me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, dhe natyrisht me Këshillin e Sigurisë në tërësi. Është një vendim i rëndë, por absolutisht i nevojshëm për shkak të situatës: duhet ndaluar avancimi i terroristëve, përndryshe i gjithë Mali do të binte në duart e tyre, çka do të përbënte një kërcënim për të gjithë Afrikën dhe për vetë Evropën.

Së dyti, ashtu siç deklaroi Presidenti i Republikës, mbi këtë çështje duhet të sigurohet i gjithë bashkërendimi i mundshëm kombëtar. Për këtë arsye Kryeministri do të presë të hënën, së bashku me Ministrin e Mbojtjes dhe me mua, të gjithë aktorët politikë që duhen konsultuar. Edhe Parlamenti nëse dëshiron mund të na dëgjojë. Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme mendon se të mërkurën ose në një ditë tjetër që mund ta vendosë Parlamenti, të kemi të gjitha konsultimet e nevojshme. Kam marrë iniciativën të informoj natyrisht familjet e pengjeve sot në mbrëmje. Por në këtë situatë të vështirë duhet pasur mirë parasysh se marrësit e pengjeve janë po
ata që dëshirojnë të zbresin drejt jugut për të vazhduar krimet e tyre.

Siç deklaroi Presidenti Hollande në fjalimin e tij, ndërhyrja do të zgjasë të gjithë kohën e nevojshme deri në arritjen e qëllimit, d.m.th. ndalimin e avancimit të terroristëve kriminelë drejt jugut, duke i mundësuar Malit të rikthehet në normalitet sepse vetëm kështu mund të zbatohen vendimet e Komunitetit Ndërkombëtar. Ju kujtoj se janë tre aspekte : nevoja e dialogut politik, por që është shumë e vështirë të realizohet nëse 90% e territorit të Malit është marrë nga terroristët ; aspekti i zhvillimit sepse Mali është një vend shumë i varfër, të cilin duhet ta ndihmojmë ; dhe së fundi aspekti i sigurisë, ringritja e ushtrisë maliane, e formuar nga Evropa dhe rimarrja gradualisht e terrenit që terroristët kanë pushtuar muajt e fundit. Por bëhet fjalë kryesisht të ndalohet avancimi terroristëve kriminelë drejt jugut, gjë që do të bëhet për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

***

Për më tepër informacione në frëngjisht, klikoni këtu.

Ndryshimi i fundit: 09/11/2015

Në krye të faqes