Nënshkrimi i marrëveshjes mes CERN dhe Ministrisë shqiptare të Arsimit dhe Sporteve [fr]

Fjalimi i Z. Didier Guilbert, Këshilltar i parë në Ambasadën e Francës, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes CERN-it dhe Ministrisë shqiptare të Arsimit dhe Sporteve

Zonja Ministre e Arsimit dhe e Sporteve, e dashur Lindita,

Zoti Rektor i Universitetit, Artan Haxhi,

Zoti Prefekt, Paulin Radovani,

Zonja Presidente e shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri, e dashur Mimoza,

Zonja e Zotërinj deputetë të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri,

Zonja e Zotërinj pedagogë,

Të dashur studente e studentë,

Të dashur miq,

Në fillim do të doja t’ju kërkoja ndjesë në emër të Ambasadorit Zotit Bernard FITOUSSI , i cili më ngarkoi t’ju them se do të kishte qenë shumë i lumtur të ishte në këtë mbrëmje me ju. Do të doja t’ju thoja gjithashtu se ai ndjek me interes punimet e kësaj konference dhe se kjo mungesë e tij ka të bëjë me angazhimet e tij profesionale: të gjithë ambasadorët e Francës në vendet ballkanike janë mbledhur në Prizren, tregues ky i një përfshirjeje më të madhe të Francës në Ballkan megjithëse « përshpejtimi Gama » i kësaj përfshirjeje për të « rritur shpejtësinë fillestare të Vo-së » duhet rritur akoma. Siç e shihni, nuk kam harruar se kam qënë një shkencëtar modest gjatë karierës sime universitare para se të hyja në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ja pse jam veçanërisht shumë i lumtur të jem sonte këtu mes jush.

Le të kthehemi tek tema për të cilën jemi mbledhur sot në këtë konferencë të mrekullueshme që zhvillohet në qytetin e bukur të Shkodrës. Kjo konferencë po zhvillohet në kuadrin e marrëdhënieve Francë-Shqipëri: grupi i astrofizikantëve të Universitetit të Tiranës bashkëpunon ngushtësisht me Institutin e Astrofizikës të Parisit (CNRS - Qendra Kombëtare e Kërkimeve Shkencore) mbi një temë madhore të astrofizikës së sotme: « shpërthimet Gama » (GRB). Gjatë viteve të fundit, Ambasada Franceze në Tiranë ka mbështetur organizimin e të gjitha vizitave shkencore në Paris e Tiranë, të cilat kanë qënë të shumta.

Shqipëria do të nënshkruajë një marrëveshje mbi kërkimin bërthamor me Organizatën Evropiane për kërkimin bërthamor, të quajtur gjithashtu laboratori evropian i fizikës së grimcave shpesh e njohur me siglën CERN, e cila është qendra më e madhe në botë e fizikës bërthamore. Përshëndes të katër përfaqësuesit e shquar, të cilët janë këtu sonte midis nesh.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe një mirënjohje për shkencëtarët shqiptarë në fushën e fizikës dhe të inxhinierisë. Franca e përshëndet këtë marrëveshje e cila po bëhet në një kontekst historik të integrimit të Shqipërisë në Europë të cilën e dëshirojmë të gjithë : ju keni nevojë për Evropën dhe Evropa ka nevojë për ju për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe për të përmirësuar jetën e pjesës më të madhe të saj.

Një falenderim për shkencëtarët bullgarë, kroatë, grek, Italian, maqedonas, malazes, turk dhe për delegacionin francez të CNRS-së të kryesuar nga Ludwik Dobrrynski për pjesëmarrjen e tyre.

Një falenderim organizatorëve, mikeshës simeMimoza Hafizi, të cilën e njoh prej kohësh, bashkëkombasit tim Ludwik Dobrrynski të CNRS-së si dhe Rektorit dinamik të Universitetit të Shkodrës, Zotit Artan Haxhi.

Së fundmi, përshëndetjet e mia më të ngrohta, personale e të vendit tim, për studentet e studentët shqiptarë, shkencëtarët e së nesërmes të cilët, pa e vënë në dyshim për asnjë cast, do të nderojnë vendin e tyre në gjirin e familjes së madhe Europiane. Te dashur studentë e shkencëtarë të ardhshëm, e ardhmja ju përket juve, kaloni përtej paragjykimeve dhe kufijve, jini ambasadorët shkencëtarë të së ardhmes për t’i vënë kërkimet dhe dijet tuaja në shërbim të të gjithëve.

Rroftë bashkëpunimi shkencor!

Faleminderit

Ndryshimi i fundit: 10/10/2014

Në krye të faqes