Përurimi i sinjalistikës së re të Parkut arkeologjik të Apollonisë [fr]

Ministrja e Turizmit, Znj. Eglantina Gjermeni, dhe Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Znj. Moro, përuruan më 3 maj sinjalistikën e re të Parkut arkeologjik të Apollonisë, financuar nga Ambasada e Francës.

16 tabela në 3 gjuhë (shqip, frëngjisht, anglisht), të cilat janë vendosur përgjatë linjës që ndjekin vizitorët, japin shpjegime, me një rindërtim grafik në 3 dimensione, i cili të kujton pamjen e monumentit ose të lagjes në kohën kur ata ishin në gjendje të mirë.

Parku i Apollonisë u zbulua në vitin 1924 nga arkeologu francez Leon Rey. Një mision arkeologjik franko-shqiptar punon rregullisht në gërmime dhe publikime.

Në fjalën e saj, Ambasadorja shprehu gëzimin e saj për tabelat e reja të cilat do t’a bëjnë më të këndshme vizitën në këtë park të mrekullueshëm dhe do të kontribuojnë kështu në suksesin e turizmit në Shqipëri. Përurimi u zhvillua në prani të drejtorit të Parkut arkeologjik, Z. Marin Haxhimihali, në kuadrin e një vizite në Parkun arkeologjik të Apollonisë, të organizuar nga Ministrja e Turizmit, Znj. Gjermeni, për trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Ndryshimi i fundit: 06/05/2014

Në krye të faqes