Përvjetori i Traktatit të Elizesë: konferenca franko-gjermane në Akademinë Diplomatike [fr]

Më 17 janar, dy Ambasadoret, e Francës dhe e Gjermanisë, dhanë një konferencë të përbashkët për auditorin e Akademisë Diplomatike në Tiranë, me rastin e përvjetorit të Traktatit të Elizesë.

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Z. Edmond Haxhinasto, mori pjesë personalisht në pjesën e parë të konferencës. Në fjalën e tij, pasi përshëndeti kontributin e bashkëpunimit franko-gjerman në ndërtimin e Evropës, Z. Haxhinasto deklaroi: "Traktati i Elizesë... është një zgjedhje filozofike për bashkëpunimin në vend të konfliktit, për bashkëjetesën në vend të konfrontimit, për konsensusin në vend të një vendimi të detyruar". "Rajoni i Ballkanit gjithashtu, vazhdoi ai, ka nevojë për një frymë të tillë... për të kapërcyer fantazmat e vjetra të nacionalizmave dhe për të projektuar një të ardhme të suksesshme". "Shqipëria e ka bërë të sajën këtë frymë dhe do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për një rajon të integruar, pa kufij,... ku të respektohen të drejtat e çdo komuniteti...".

Ambasadorja e Francës, Znj. Christine Moro, shpjegoi se që gjatë Luftës së Dytë Botërore ideja e pajtimit të domosdoshëm përkoi me idenë e ndërtimit të një Evrope të bashkuar dhe se që prej asaj kohe puna e përbashkët për Evropën mbeti detyra kryesore e bashkëpunimit. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve midis dy shoqërive, të cilat mundësojnë kapërcimin e keqkuptimeve dhe veprojnë si një rrjetë sigurie në kohë të vështira.

Nga ana e saj, Ambasadorja e Gjermanisë, Znj. Carola Müller-Holtkemper, theksoi vlerën e besimit, e cila është gjithashtu një pasuri për zhvillimin ekonomik dhe shpjegoi idetë e parashtruara në muajt e fundit, gjatë takimeve të shumta mes Kancelares gjermane dhe Presidentit francez, nga të dy vendet për të kapërcyer krizën e borxhit në Evropë dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për të bërë të mundur qeverisjen e zonës së euros.


Conférence franco-allemande - JPEG


Conférence franco-allemande - JPEG


Débat - JPEG


Ndryshimi i fundit: 07/03/2014

Në krye të faqes