Qëndrimi i Francës dhe deklarata mbi gjendjen në Ukrainë [fr]

6 mars 2014

Qëndrimi dhe veprimet e Francës në lidhje me Ukrainën

1. Që prej fillimit të krizës, Franca është përpjekur të gjejë një zgjidhje për stabilizimin e gjendjes në Ukrainë. Nuk shtrohej aspak çështja që t’i kërkohej këtij vendi të zgjidhte mes lindjes dhe perëndimit, gjë që është një debat i tejkaluar, i një epoke të shkuar. Çështja ishte të gjendej një zgjidhje politike në shërbim të interesave të popullit ukrainas dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe të sovranitetit të vendit.
2. Pas protestave të përgjakshme në sheshin Meidan në Kiev, Ministrat e Jashtëm të Grupit të Veimarit (Franca, Gjermania dhe Polonia) shkuan në Kiev më 21 shkurt. Në sajë të ndërmjetësimit të tyre u arrit të nënshkruhej një marrëveshje mes Presidentit Janukoviç dhe opozitës, e cila parashikonte ndër të tjera kthimin tek Kushtetuta e vitit 2004 dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme.

Parlamenti ukrainas e rivendosi në fuqi Kushtetutën siç ishte amenduar në vitin 2004. Pasi Parlamenti ukrainas vendosi të shkarkonte Presidentin Janukoviç pas largimit të tij, autoriteti presidencial ushtrohet aktualisht dhe provizorisht nga Presidenti i Parlamentit, siç parashikohet në Kushtetutën e 2004-ës.

Edhe pse ngjarjet që ndodhën, siç ishte largimi i Presidentit, e bënë të pamundur zbatimin e marrëveshjes së 21 shkurtit ashtu siç ishte parashikuar, Franca nuk ka reshtur asnjëherë së mbrojturi shpirtin e kësaj marrëveshjeje, d.m.th. pajtimin përmes krijimit të qeverisë së bashkimit kombëtar dhe mbajtjes së zgjedhjeve nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

3. Argumentet e paraqitura nga Rusia për të justifikuar veprimet e ndërmarra në Ukrainë nuk përputhen me realitetin e situatës, ashtu siç mund të vëzhgohet nga mediat apo interneti, dhe siç kuptohet nga Franca dhe të gjitha vendet perëndimore:

Rusia ka dërguar disa mijëra ushtarë në Krime, edhe pse pa shenjat dalluese. Në këtë mënyrë, ushtria ruse e ka pushtuar Krimenë, territor ukrainas, kundër dëshirës së qeverisë ukrainase dhe në shkelje të të drejtës ndërkombëtare. Arsyet e paraqitura nuk janë të vërteta: aktualisht nuk ka më vrasje në rrugët e Kievit; popullata rusishtfolëse nuk është e kërcënuar as në Krime dhe në asnjë vend tjetër.
4. Përfaqësuesi i Përhershëm i Francës pranë OKB-së ka paraqitur më 3 mars gjashtë pikat që do të bënin të mundur daljen nga kriza:
Së pari, kthimi i forcave të armatosura ruse në bazat e tyre, gjë që duhet të verifikohet nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Së dyti, grumbullimi i menjëhershëm, çarmatosja dhe shpërndarja e elementeve paraushtarakë dhe e grupeve të tjera të pajisura me armë të paligjshme, nën kontrollin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Së treti, rivendosja në fuqi nga Parlamenti ukrainas i ligjit mbi gjuhët rajonale.
Së katërti, krijimi i Këshillit të Lartë për mbrojtjen e minoriteteve.
Së pesti, zbatimi i reformës kushtetuese.
Së gjashti, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale më 25 maj nën vëzhgimin e OSBE-së.
5. Më 5 mars, Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Z. Laurent Fabius, shfrytëzoi praninë në Paris të shumë kolegëve të tij, nga të cilët Ministrat evropianë të Punëve të Jashtme, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, ministri rus Sergei Lavrov dhe ministri ukrainas Z. Dechtchitsia, për të organizuar diskutime në lidhje me Ukrainën. Qëllimi ishte të arrihej një çtensionim i situatës para mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Evropian më 6 mars.
6. Menjëherë pas mbërritjes në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Evropian të 6 marsit, Presidenti François Hollande deklaroi se Këshilli Evropian “do të shprehte vullnetin e Bashkimit Evropian në lidhje me Ukrainën, duke i dhënë mbështetjen e tij qeverisë ukrainase për ndërmarrjen e reformave ekonomike dhe për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale”, dhe se ai “do të ushtronte presionin më të fortë të mundshëm mbi Rusinë me qëllim që të fillohej një proces çtensionimi”. Por ai nënvizoi se “presioni nuk synon rritjen e tensionit”, përkundrazi, uljen e tij dhe “hapjen e rrugës së dialogut, reflektimit dhe negocimit”.

8 mars 2014

Deklaratë mbi situatën në Ukrainë

Njoftim për shtyp i Presidencës së Republikës (Paris, 7 mars 2014)
Presidenti i Republikës u takua sot me z. Vitalii Klychko, deputet, kryetar i partisë "Aleanca Demokratike e Ukrainës për Reforma" (Oudar), dhe z. Petro Poroshenko, deputet i pavarur, të dy kandidatët për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 25 maj.
Në rrethanat e tanishme, ndërsa sovraniteti dhe integriteti territorial të Ukrainës janë të rrezikuara, Kryetari i Shtetit nënvizoi sërish nevojën që Rusia të pranojë një zgjidhje për t’i dhënë fund krizës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ai i njohu bashkëbiseduesit e tij me përpjekjet ndërkombëtare për ndërmjetësim që janë në zhvillim e sipër. Ai theksoi se për arsye të mos ecjes përpara dhe, në përputhje me vendimin e marrë dje nga Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive në takimin e BE-së në Bruksel, do të merren masat e reja, të cilat do të ndikojnë në marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë .
Presidenti konfirmoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Francës dhe të Bashkimit Evropian për autoritetet e reja Ukrainë, si dhe për procesin e tranzicionit politik dhe për reformat e ndërmarra.
Në përfundim, Kreu i shtetit theksoi rëndësinë që zgjedhjet presidenciale të 25 majit të mbahen në një mënyrë transparente dhe të pakontestueshme, nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj sfide, ai u bëri thirrje dy bashkëbiseduesve, si dhe kandidatëve të tjerë, të marrin pjesë në zgjedhje me ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë./.
Intervistë e z. Laurent Fabius, Ministër i Punëve të Jashtme, dhënë "France Info" ( Paris, 7 mars 2014) (fragmente).
Pyetje - Në Ukrainë situata është gjithnjë e më e tensionuar, Rusia nuk heq dorë nga asgjë. A ka fituar Vladimir Putini?
Përgjigje - Jo, dhe qëndrimi ynë në gjithë këtë krizë është, nga njëra anë, të tregojmë qëndrimin tonë të palëkundur, sepse nuk mund të pranojmë që integriteti i një vendi të shkelet, në këtë rast ai Ukrainës, dhe, nga ana tjetër, të përpiqemi për të gjetur rrugët e dialogut .
Pardje, ka pasur disa përmirësime. Në takimin e zhvilluar në Paris, ne arritëm që të bashkojmë të gjithë rreth bisedimeve dhe u gjet një lloj piste e përbashkët. Por dje ndodhi e kundërta pasi parlamenti i Krimesë votoi aneksimin, nëse mund të themi kështu.
Pyetje – Sot në Krime po ndodh një aneksim?
Përgjigje - Parlamenti Krimesë ka shprehur dëshirën të jetë pjesë e Rusisë. Por kjo gjë nuk është e besueshme nga askush. Vendimi është marrë natyrisht në bashkëpunim me autoritetet ruse. Unë kam konstatuar një numër faktesh që përputhen dhe që ndodhën në ditët e fundit. Së pari ushtarët rusë në Krime, pastaj një vendim që kaloi pa u vënë shumë re– edhe pse është shumë i rëndësishëm – z. Medvedev, Kryeministri rus, deklaronte : "Ne do të ndërtojmë një urë mes Rusisë dhe Krimesë për të kaluar ngushticën e Kerçit". Pastaj thirrja e Parlamentit të Krimesë. Pak më vonë një ligj i Asamblesë së Rusisë që parashikonte se : " Nëse një rajon i një vendi të huaj voton bashkimin e tij me një shtet tjetër, ne rusët nuk do të kundërshtojmë". Së fundi, teksti i referendumit të propozuar, i cili është krejtësisht antikushtetues dhe i paligjshëm sipas të drejtës ndërkombëtare, i cili thotë : "ose më shumë autonomi, ose bashkim me Rusinë", duke parashikuar një datë që tashmë të gjithë e dinë. E gjithë kjo tregon se prapa saj fshihet padyshim një manovër.
Pyetje – Një manovër e Vladimir Poutinit ?
Përgjigje - Sigurisht. Unë dua të jem tejet i qartë. Unë jam një mik i Rusisë dhe e kam mbrojtur gjithmonë partneritetin midis Rusisë dhe Francës, i cila është diçka historikisht shumë i rëndësishëm dhe i dëshirueshëm. Kjo gjë vërtetohet edhe nga përpjekjet që po bëjmë për të çtendosur situatën. Por partneritet nuk do të thotë dobësi dhe miqësia nuk është verbërim. Prandaj duhet të jemi të qartë dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që Evropa të jetë e bashkuar – siç është në realitet - në këtë krizë, e cila është ndoshta një nga më të rëndat që prej Luftës së Ftohtë. Ne punojmë ngushtë veçanërisht me miqtë tanë gjermanë - ky është një udhëzim i dhënë nga Presidenti i Republikës - dhe po punojmë gjithashtu me amerikanët.
Dje isha në Romë për një konferencë mbi Libinë, ku u takova me Sergei Lavrov dhe John Kerry. Unë isha së bashku me mikun tim Steinmeier, ministri i jashtëm gjerman. Evropianët duhet të jenë së bashku dhe kjo gjë po ndodh.
Pyetje – Dhe ju mendoni se jeni në një mendje! Po e riformuloj pyetjen shumë qartë, zoti ministër, a e ka aneksuar sot Rusia Krimenë?
Përgjigje - Nuk ka ndodhur ende, por ajo ka kontrollin. Ajo është e pranishme me ushtrinë e saj dhe nëse referendumi mbahet, ideja e saj është të thotë se Krimea dhe Rusia janë e njëjta gjë. Duhet të kuptojmë se përtej çështjes së Ukrainës, e cila është tashmë një çështje shumë serioze, ekziston edhe një çështje më e përgjithshme.
Pyetje - Ju jeni frikësoheni se Rusia mund të shkojnë edhe më tej?
Përgjigje - Jo, jo vetëm kjo. Por në qoftë se një rajon në botë, qoftë në Evropë, Azi, Afrikë apo diku tjetër, vendos - për shkak se këtë e kërkon një vend fqinj - të ndryshojë kufijtë dhe të bashkohet me vendin fqinjë, kjo do të thotë thonë se nuk ka më asnjë stabiliteti ndërkombëtar.

Deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (7 mars 2014) (fragmente)
Pyetje - A ka sot në Krime trupa ruse shtesë në krahasim me trupat e vendosura më përpara?
Përgjigje – Ka një shkelje nga Rusia të marrëveshjes së saj dypalëshe me Ukrainën. Kërkesa që kemi bërë është që trupat ruse kthehen në bazat e tyre. Ne jemi të shqetësuar edhe për shkak të pengesave që i janë vendosur sot vëzhguesve ushtarakë të OSBE-së në Krime. Atyre duhet t’u garantohet një akses i lirë.
Pyetje - Çfarë ndodh nëse Krimea i thotë « po » referendumit më 16 mars ?
Përgjigje - Ne mendojmë se referendumi është në kundërshtim me kushtetutën e Ukrainës dhe me të drejtën ndërkombëtare .
Pyetje - Vladimir Poutini përmend rastin e Kosovës për të ligjëruar vetëvendosjen e Krimesë.
Përgjigje – Janë dy situata të ndryshme :
- së pari, në Kosovë nuk kishte asnjë rrezik aneksimi të një pjese të një shteti sovran nga një shtet tjetër;
- së dyti, rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Rezoluta 1244 e të datës 10 qershor 1999) e ka përfshirë të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe ka krijuar në atë vend, për shumë vite me rradhë, një administrate të përkohshme të OKB-së;
- së treti, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i ishte drejtuar një kërkesë. Ajo mori një vendim në korrik 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 përputhej me të drejtën ndërkombëtare.

Ndryshimi i fundit: 09/11/2015

Në krye të faqes