Ruajtja e bregdetit: ekspozitë me fotografi në Vlorë (29 maj/2 qershor) [fr]

Ruajtja e bregdetit: ekspozitë në Vlorë (29 maj/2 qershor) në kuadrin e bashkëpunimit shkencor dhe administrativ franko-shqiptar.

Një ekspozitë me fotografi mbi mbrojtjen e ishujve të vegjël të Mesdheut do të çelet në Vlorë, nga data 29 maj deri në datën 2 qershor 2013, në kopshtet e Muzeut të Pavarësisë.

Kjo ekspozitë, si pjesë e një misioni ndërkombëtar ekspertësh që do të mbahet në ishullin e Sazanit nga 27 maj deri në 1 qershor 2013, do t’i lejojë publikut të kuptojë çështjet e mbrojtjes së këtyre zonave të ndjeshme.

Ky misioni organizohet nga UNDP-ja përgjegjës i Hapësirave Detare të mbrojtura të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e Universitetit të Tiranës, APAWA (Association for the Protection of Aquatic Wildlife of Albania) dhe të Konservatorit francez të Bregdetit. Ai do të bëjë të mundur hartimin e një skeme menaxhimi të integruar tokë-det për ishullin e Sazanit.

Që prej mbi 35 vjetësh, Konsevatori i Bregdetit kujdeset në Francë për një politikë të tokës, e cila ka si qëllim mbrojtjen të përhershme të hapësirave natyrore dhe të brigjeve detare dhe liqenore. Falë përvojës së tij, ai bashkëpunon, që prej pesëmbëdhjetë vjetësh, me vendet e Mesdheut për t’i ndihmuar ato në zhvillimin e politikave të tyre mbi mbrojtjen dhe menaxhimin e integruar të zonave bregdetare.

Konservatori i Bregdetit bashkëpunon me Shqipërinë që nga viti 2006, veçanërisht në rajonin e Vlorës, në lagunen e Nartes dhe në hapësirën Orikum-Llogara-Karaburun-Sazan. Duke përfituar nga dinamika e filluar nga krijimi, në vitin 2010, i Hapësirës Detare të Mbrojtur të Karaburun-Sazanit, Konservatori i Bregdetit ka ofruar ndihmën e tij pranë autoriteteve shqiptare si dhe pranë aktorëve të ndryshëm lokalë të përfshirë në menaxhimin e integruar të zonave bregdetare, falë mbështetjes gjithashtu të UNDP-së dhe Ambasadës së Francës në Shqipëri.

Që nga kjo kohë janë përfunduar misione të shumta në kuadrin e Iniciativës për Ishujt e Vegjël të Mesdheut (program rajonal për të nxitur dhe për të mbështetur menaxhimin e hapësirave ishullore, drejtuar nga Konservatori që nga viti 2005), në koordinim me Profesor Sajmir Beqiraj, një biolog detar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, si dhe përgjegjës i shoqatës APAWA - Association for Protection of Aquatic Wildlife of Albania.

Një vizitë studimore në Francë, vjeshtën e kaluar, u ka mundësuar përfaqësuesve të Ministrisë shqiptare të Mjedisit dhe atyre lokalë të kuptojnë më mirë mënyrën se si Konservatori i Bregdetit përmbush misionin e tij për mbrojtjen e zonave natyrore në brigjet detare dhe liqenore.

Ndryshimi i fundit: 05/06/2013

Në krye të faqes