TARA PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI, ndalesë në qytetin e Vlorës nga data 15 deri më 19 korrik [fr]

Tara do të bëjë një ndalesë në këtë qytet portual të detit Adriatik, një nga më të lashtët, i cili gjendet 100 kilometra në jug të qytetit të Tiranës. Edhe pse Tara e ka përshkruar gjithë Mesdheun, është e para herë që anija vjen në Shqipëri.

Tara - JPEG

Kjo ndalesë, e organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Francës në Tiranë, do të jetë rasti për të vazhduar me sensibilizimin dhe informimin e publikut të gjerë rreth temave mjedisore, të cilat ushqejnë angazhimin e anijes Tara që prej 10 vjetësh dhe në veçanti, gjatë kësaj ekspedite që quhet Tara Méditerranée.

Në programin e këtyre katër ditëve janë parashikuar konferenca, ekspozita, vizita në anije si dhe shfaqje filmash.

Ekspozita « Oqeani - planeti ynë» mund të vizitohet nga data 16 deri më18 korrik në Qendrën e Informimit Evropian të qytetit të Vlorës. Kjo ekspozitë është rasti për të kuptuar se oqeani është djepi i jetës dhe mbulon tre të katrat e planetit tonë blu.

Më16 korrik, në orën 18:00, pas një vizite në ishullin e Sazanit, i cili është nën administrimin e ushtrisë shqiptare, në bordin e anijes Tara Méditerranée do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi midis Kryetares së organizatës « Conservatoire du Littoral », Znj. Viviane LE DISSEZ, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së re Kombëtare të Bregdetit, Z. Auron TARE. Kjo marrëveshje nënshkruhet nën kujdesin e Shkëlqesisë së Saj Znj. Christine MORO, Ambasadore e Francës në Shqipëri, Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Znj. Eglantina GJERMENI, Ministres së Mbrojtjes, Znj. Mimi KODHELI, dhe Ministrit të Mjedisit, Z. Lefter KOKA.

Më17 korrik, në Universitetin e Vlorës do të organizohet një seminar me kërkuesit shkencorë francezë dhe shqiptarë. Seminari do të zhvillohet paradite. Kërkuesit shkencorë shqiptarë dhe francezë, Z. Sajmir Beqiraj dhe Z. François Galgani, do të referojnë mbi bashkëpunimin franko-shqiptar në fushën e mbrojtjes së bregdetit në Shqipëri si dhe mbi perspektivat e mbrojtjes së kësaj hapësire të përbashkët që është Deti Mesdhe. Më pas, studentë dhe studiues do të drekojnë së bashku në bordin e Tara Méditerranée dhe do të vizitojnë anijen.

Dhe në fund, 18 korriku do t’i kushtohet anës pedagogjike të ekspeditës. Në bordin e anijes do të ngjiten fëmijë të tre Shtëpive të fëmijës të këtij rrethi për ta vizituar atë dhe më pas ata do të zbulojnë aty ekspozitën « Oqeani - planeti ynë ».

Për më tepër informacione: http://oceans.taraexpeditions.org/une-premiere-pour-tara-en-albanie-en-escale-a-vlora-du-15-au-19-juillet/#sthash.CdF7eJbN.dpuf

Ndryshimi i fundit: 15/07/2014

Në krye të faqes